
Të nderuara motra dhe vllezër,
Dita e nesërme, shënon fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, muajit të mëshirës, të faljes, e sakrificës për besimtarët myslimanë.
Agjërimi njihet edhe si, njëra nga adhurimet më madhështore të cilin besimtari me plotë devotshmëri e sinqeritet e kryejnë për hir të urdhërave të Zotit të tij, ku Allahu Fuqiplot, përmes fjalëve në librin e tij të shenjtë, na drejtohet: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra, kush nga ju që arrin këtë muaj, le ta agjëroj ”. (El-Bekare – 185).
“O ju që keni besuar! Agjërimi ju është bërë detyrim, ashtu siç ishte detyrim edhe për popujt që ishin para jush, kështu që, të bëheni të devotshëm.” [Bekare – 183]
Profeti Muhammed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thoshte: “Islami është i ndërtuar mbi pesë shtylla, dhe njëra ndër këto shtylla, është edhe agjerimi i muajit të Ramazanit.”
Të respektuar besimtarë,
Duke ditur se në natyrën e njeriut, gabimi si veprim është i pashmangshëm, le të shërbejë ky muaj si një rast i volitshëm për pendim tek Zoti dhe përafrim me njëri-tjetrin.
Sakrifica e agjërimit tek besimdrejti manifeston ndjenjën e kujdesit dhe të solidaritetit për njerëzit, andaj le të jemi syhapur ndaj gjendjes së rëndë aktuale, dhe dorështrirë ndaj skamnorëve e nevojtarëve, ndaj atyre që sot kanë më shumë se kurrë nevojë për ofrimin e dorës së solidaritetit.
Agjërimi i Ramazanit, në esencë, besimtarit i ofron vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, flijimit e sinqeritetit, ngase ai e bënë njeriun më të dashur, më fisnik, më human, më të afërm e më mirënjohës ndaj Krijuesit të Gjithësisë.
Le të na shërbejë ky muaj për solidiratet me njëri-tjetrin, dhe pendim të sinqert tek Zoti Mishërbërës.
Urime dhe gëzuar Muaji i shenjtë i Ramazanit
Agjërim të lehtë e të pranuar!
Me shumë respekt,
Shaip Kamberi – kryetar i Partisë për Veprim Demokratik