SINANI FALEMNDERON KOSOVËN PËR NDIHMËN E DHËNË

Të dashur qytetarë të komunës së Preshevës, unë dhe PVD vlerësojmë lartë dhe i jemi mirënjohës Qeverisë së R. Kosovës dhe z. Kurti me rastin e ndarjes së shumës prej 500 mijë eurove, si ndihmë për Luginën e Preshevës në luftën kundër Covid19.

Secili interesim, angazhim apo ndihmë e dhënë nga Qeveria e R. së Kosovës, pavarësisht shumës, për ne shqiptarët e Luginës së Preshevës si pjesëmarrës aktiv në luftën e lavdishme të UÇK-së për çlirimin dhe shtetndërtimin e R. së Kosovës dhe kontributi jonë në të gjitha fazat tjera, ngjall ndjenjën e kënaqësisë dhe sigurisë në përballje me problemet tona të përgjithshme dhe ato specifike!

Duke qenë jetësisht falënderues dhe mirënjohës, duke mos dashur të dekurajojmë, kërkojmë nga Qeveria e R. Kosovës që kjo ndihmë financiare të përcillet me një plan të përpiluar për shpenzimin e këtyre mjete, në dobi të shtresave në nevojë dhe bizneseve lokale dhe duke kërkuar llogari nga pushteti lokal i komunës së Preshevës i cili nga praktikat e deritanishme është treguar joserioz, i pa aftë dhe jo transparent në shpenzimet e donacioneve dhe buxhetit komunal!

Jo serioziteti, mos transparenca, mashtrimi dhe amullia e pushtetit lokal e krijuar me donacionin prej 112 mijë Euro, të ndara nga qeveria Haradinaj për ndërtimin e parkut në hyrje të qytetit të Preshevës, e shtojnë edhe më tepër dyshimin tonë në keq menaxhimin dhe keqpërdorimin e atyre mjeteve pikërisht nga pushteti lokal i komunës së Preshevës, duke mos dashtë të ulim vlerën dhe rëndësinë e këtyre donacione!

Këto veprime shpresëdhënëse, sado simbolike të Prishtinës zyrtare, në krahasim me gjendjen dhe nevojat tona kanë ndikim pozitiv tek shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët ndjehen të harruar nga vetë shqiptarët e të diskriminuar nga serbët!

Lugina e Preshevës, e harruar dhe diskriminuar skajshmërish, me një spastrim etnik në heshtje i cili po ndodhë, duhet të jetë pjesë e prioriteteve në fazën finale të bisedimeve Kosovë-Serbi!

Deklaratat e shumta nga një numër i caktuar i partive politike në R. e Kosovës, kundër bashkëngjitjes së Luginës, duke mos propozuar asnjëherë, asnjë mënyrë tjetër për zgjidhjen e problemit të Luginës së Preshevës, tek shqiptarët e diskriminuar të kësaj ane priten me dhimbje dhe zhgënjim!

Mos realizimi i të drejtave elementare të njohura me konventa ndërkombëtare si përdorimi i simboleve, gjuhës dhe shkrimit shqip, pasivizimi i adresave, diskriminimi permanent me mos njohjen e diplomave, mos lejimin e teksteve mësimore, mos integrimi në institucione publike dhe shtetërore si gjykata, policia, dogana, shërbimi tatimor, spitale, duke pasur parasysh shkallën e lartë të papunësisë prej 70%, pamundësia e biznesit vendor që të plasojë produktet e veta dhe barrierat e shumta administrative na bëjnë rajonin më të pa zhvilluar ekonomikisht në Serbi.

Kjo gjendje realisht e mjerueshme, pozita gjeostrategjike, korridori 10, resurset ekonomike dhe njerëzore, mundësia e zgjidhjes së përhershme duhet të shfrytëzohet që ky moment të shërbej si nismë serioze për çdo parti në Kosovë të hartojë një platformë për pozitën e shqiptarëve të Luginës duke pas si prioritet bashkëngjitjen, për të ndaluar spastrimin etnik të kësaj treve.

Lufta e armatosur dhe thirrjet e vazhdueshme të shqiptarëve të Luginës kundër diskriminimit permanent na bëjnë të besojmë, duke apeluar tek klasa politike e R. së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë se zgjidhja e vetme e drejtë, jetike dhe e përhershme e problemit të Luginës së Preshevës është bashkëngjitja me Republikën e Kosovës!

Ç’do opsion tjetër nuk i zgjidh problemet dhe e shuan përfundimisht dhe përgjithmonë shpresën për Luginën!

Me respekt!
Ardita SINANI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *