REAGIM NË LIDHJE ME MUNGESËN E UJIT TË PIJSHËM

Gjatë ditëve të fundit, qytetarët që furnizohen me ujë të pijshëm nga ujësjellësi i Zhunicës nuk kanë ujë. E dihet se nga ujësjellësi i Zhunicës furnizohet më shumë se gjysma e qytetit të Preshevës.

Në anën tjetër, për shkak të pandemisë COVID 19, Serbia ka shpallur kufizim të lëvizjes së qytetarëve. Kurse nga dita e sotme masa e kufizimit të lëvizjes është shtrënguar me fillim nga sot ora 13:00 e deri të hënën në ora 05:00. Rrjedhimisht qytetarët që furnizohen me ujë nga ujësjellësi i Zhunicës e kanë të pamundur të dalin që të mbushin ujë.

Në tërë këtë katastrofë, është e pafalshme qetësia dhe papërgjegjësia e kryetarit të komunës me të cilën po e menaxhon këtë situatë. Më së paku kjo situatë, në këtë kohë pandemie mund të zgjidhet me spektakle mediatike e lidhje direkte në profilin e tij të facebook-ut, sepse në fushatat elektorale i njejti kishte premtuar 24 or furnizim me ujë, ndrrim të gypave të azbestit e çka jo tjetër.

Duke pasur parasysh situatën shumë të ndieshme, ku qytetarët nuk kanë ujë të pijshëm pikërisht në kohë pandemie e në pamundësi për t’u furnizuar me ujë për shkak të orës policore deri të hënën, kërkojmë nga kryetari i komunës që të lerë propagandën bajate përmes videove në facebook-un e tij, por të merret me përgjegjësinë që e meritojnë qytetarët e Preshevës.

Me këtë rast, propozojmë që N.P. “Moravica” t’u mundësojë këtyre qytetarëve furnizim me ujë përmes cisternave që i posedon, apo si komandant i shtabit lokal për gjendje të jashtëzakonshme të ju bëjë të mundur që në një periudhë kohore të orës policore, këto shtëpi të kenë mundësi të dalin dhe mbushin enët e tyre me ujë.

Këto propozime po i japim deri në zgjidhjen e përhershme të problematikës me ujë të pijshëm.

04.04.2020
Këshilli për Informim
i Partisë për Veprim Demokratik

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *